Kabllot shqetësojnë banorët, KEDS thotë nuk ka rrezik|Video
Hana Marteti/ RTK
Në disa lagje të Prishtinës, kabllot e rrymës kanë krijuar panik te qytetarët, për shkak se mund të kenë kontakt me to. Komuna adreson kritika ndaj KEDS-it për mosplanifikim të mirë, kurse nga KEDS-i thonë se këto kabllo nuk paraqesin rrezik për qytetarët pasi janë të izoluara mirë.
Qytetarët po ankohen nga rrëmuja e kabllove elektrike nëpër disa lagje të Prishtinës.
Drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, thotë se ky problem është i përbashkët me KEDS-in.
“ Kemi kërkuar nga KED-si që të sqarojë situatën në tërësi, të ulemi të bisedojmë bashkërisht dhe ta dhe të qesim në harta këtë plan. Në mënyrë që mos me e pengua procesin ideja e rregullimit është me nis lagje, lagje”, tha Krenar Xhaferi, drejtor i investimeve kapitale.
Megjithatë, sipas Komunës, ekziston një plan për zgjidhjen e këtij problemi.
“ Në këtë situatë që jemi, jemi duke bërë përpëjekje ta menaxhojmë në tërësi si të tillë, t’i koordinojmë operatorët kabllovik, KEDS-in dhe ndriçimin publik të Komunës në një projekt të përbashkët ”, tha Xhaferi.
Ideja sipas Komunës është marrëveshja e përbashkët me të gjithë akterët që bëjnë pjesë, në mënyrë që të zgjidhet sa më shpejtë kjo telashe.
Ndërkaq në një përgjigje me shkrim për RTK, KEDS ka thënë se këto kabllo nuk janë të rrezikshme në rast kontakti me to.
“KEDS e kupton shqetësimin e banorëve të disa rrugëve nëpër disa lagje të kryeqytetit, porse një numër i konsiderueshëm i kabllove të varura nëpër shtyllat e kompanisë janë pronë e operatorëve kabllorë, edhe kabllot e KEDS-it shihet se janë kabllo të ashtuquajtura gërshet, që kanë përçueshmërinë e mbuluar dhe, për rrjedhojë, kontakti me to nuk është i rrezikshëm”, thuhet në përgjigjen e KEDS.























