22:30 / 20.05.2023
Vdes 31- vjeçari që mbahej në paraburgim në Pejë
E. Hoti/ RTKlive
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se sot në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri me inicialet M.K, viti i lindjes 1992.
Sipas njoftimit të SHKK-së, i njëjti është pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Pejë me datë 14.04.2023 dhe nuk ka qenë më parë i sëmur.
“Sot gjatë ditës i është përkeqësuar gjendja dhe menjëherë nën shoqërim të stafit duke e reanimuar është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ku pas përpjekjeve për reanimacion nuk kanë pasur sukses, ku dhe është konstatuar vdekja e tij”, thuhet në njoftim.
Shërbimi Korrektues ka thënë se organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të konstatojë shkakun e vdekjes.























