Komuna e Skenderajt e para për transparencë në Kosovë
Arlinda Sejda/RTK
KDI publikoi indeksin vjetor të transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2022. Komuna e Skenderajt rezulton e para. Sidoqoftë, vlerësohen përpjekjet e komunave për të publikuar informacione.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Transparency International Slovakia dhe mbështetjen financiare të SlovakAid publikoi Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2022.
Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).
Pesëmbëshjetë (15) komunat me rritjen më të lartë të transparencës krahasuar me vitin 2021 janë Skenderaj, Istogu, Deçani, Prizreni, Malisheva, Kamenica, Hani i Elezit, Dragashi, Drenasi, Klina, Juniku, Suhareka, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica.
Komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla e të cilat janë: Transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, transparenca buxhetore, transparenca në grantet dhe subvencionet komunale,përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, qasja në dokumente publike, përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, menaxhimi i pronës komunale si dhe transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.
Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se është për t’u vlerësuar fakti se komunat nga viti në vit po dëshmojnë se janë më të përgjegjshme në publikimin e informatave dhe dokumenteve për publikun, duke shënuar rritje të nivelit të transparencës nga 56% në vitin 2021 në 68% në vitin 2022. Megjithatë, ajot ha se ueb faqet e komunave po vazhdojnë të jenë shpesh të pa qasshme si rezultat i problemeve teknike. “Kjo i zbeh përpjekjet e komunave për transparencë, ndërkohë që i dekurajon qytetarët të qasen në informacione dhe të kërkojnë llogaridhënie nga komunat e tyre”, tha Metushi-Krasniqi.
Kristína Kroková nga Transparency International – Slovakia theksoi që është e mahnitur të shohë progresin që komunat në Kosovë po arrijnë nga viti në vit.
“Rritja mesatare prej 12% nga viti i kaluar është shpresëdhënëse dhe tregon që qeveritë komunale do të mund të bëjnë edhe më shumë deri në fund të mandatit të tyre”, tha ajo, duke theksuar se komunat në Sllovaki nuk kanë pasur progres të përnjëhershëm si në rastin e Kosovës dhe sipas matjeve të tyre nga viti 2012 progresi nuk ka kaluar 25%-shin.