40 ditë paraburgim shtetasit të Malit të Zi për vrasje të rëndë në Kotorr
BKT
Kronika

40 ditë paraburgim shtetasit të Malit të Zi për vrasje të rëndë në Kotorr

E. Hoti/ RTKlive

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 40 ditësh për shtetasin e Malit të Zi me inicialet S. J., për vrasje të rëndë.

Sipas Gjykatës, i pandehuri S. J. dyshohet se në gjysmën e dytë të korrikut të vitit 2020, në Kotor të Malit të Zi, duke vepruar si anëtarë i organizatës kriminale dhe duke përdorur telefon të koduar dhe aplikacionin SKY ECC, në bashkëkryerje me dy të akuzuar të tjerë, kanë planifikuar që në mënyrë tinëzare të privojnë nga jeta – tani viktimën N. S.

Në gusht të vitit 2020 i pandehuri me bashkë me të akuzuarit e kanë ndaluar viktimën, i cili ishte duke e drejtuar motoçikletën e tij dhe e kishin goditur me shufër metalike në pjesën e kokës duke e rrëzuar për toke.

Më pas të njëjtin e  kishin lidhur me litar duke e goditur disa herë në kokë dhe pjesë të trupit, e më pas e  kishin futur në automjetin e markës BMW.

“ Ashtu që gjatë rrugës e torturojnë vazhdimisht të njëjtin duke e goditur dhe e gjithë kjo për të marr planet e organizatës kriminale kundërshtare dhe për tu qasur në telefonin e koduar të viktimës, kështu që në mbrëmjen e datës 01.08.2020 dhe datës 02.08.2020, e privojnë nga jeta viktimën N. S., e më pas kthehen në Kotor dhe e largojnë motoçikletën nga vendi i ngjarjes në një vend të panjohur me qëllim të fshehjes së gjurmëve dhe veprës penale të kryer”, thuhet në njoftimin e Gjykatës. 

Më këto veprime sipas Gjykatës i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata ka bërë të ditur se i pandehuri S. J., ishte duke u kërkuar në bazë të një urdhër arresti të Interpolit, të datës 31.05.2021.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ngase i njëjti ka shtetësinë e Republikës së Malit të Zi dhe për më tepër gjatë ndalimit nga zyrtarët policor i njëjti është paraqitur me një emër tjetër, po ashtu edhe gjatë seancës dëgjimore”, thuhet më tej në njoftim.

Tutje Gjykata thotë se palët kanë të drejtën e ankesës pas këtij vendimi.


MË SHUME NGA Kronika