Policia e Shqipërisë dhe Kosovës arrestojnë 6 shtetas sirianë e algjerianë
Foto: Policia e Shqipërisë
Kronika

Policia e Shqipërisë dhe Kosovës arrestojnë 6 shtetas sirianë e algjerianë

Myrvete Axhami/RTK

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, kanë realizuar operacionin e koduar me emrin “Strukturimi” duke goditur një grup kriminal organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta.

Të trafikuarit kalonin nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, e me destinacion final shtetet e BE-së.

Policia ka sqaruar se grupi ishte i armatosur dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë.

Kështu, janë arrestuar  6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

“Në tentativë për t’i shpëtuar policisë, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre”, sqaron policia.

Policia e Shqipërisë njofton se pas disa orësh ndjekje, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.

Vijon kontrolli i zonës për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

“Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre”.

Ata janë Ayoub Bahhoo, 27 vjeç,  Muhaned Nasir, 25 vjeç,  Nagid Alabdahah,20 vjeç,  Muhamed Shehab,21 vjeç,  Mohamed Radawin, 20 vjeç dhe Rabii Lqadi, 40 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sultan Grimashi, 27 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

 

 


MË SHUME NGA Kronika