Kurti: Mirëqenia e fëmijëve është gur-themel për një shoqëri të drejtë
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit Kurti
Kosovë

Kurti: Mirëqenia e fëmijëve është gur-themel për një shoqëri të drejtë

V. Thaçi / RTKlive

Me qëllim të shënimit të 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kryesuar takimin e radhës së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.

Në shënimin e 1 Qershorit, Ditës së Fëmijëve, kryeministri Albin Kurti shprehu përkushtimin për të rritur mirëqenien e fëmijëve, respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ai ka theksuar se mirëqenia e fëmijëve është gur-themel për një shoqëri të drejtë dhe prosperuese.

Rrjedhimisht, ai tregoi se si Qeveri përmes skemave të mbrojtjes sociale dhe politikave arsimore po largojmë barrierat për zhvillimin dhe arsimimin e fëmijëve. Paralelisht, për të siguruar barazi nga mosha e hershme, po i ndajmë shtesat për 351 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Ndërkaq, është miratuar edhe Ligji për arsimin e fëmijërinë e hershme, ku do të angazhohen 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara e me nevoja të veçanta. Në këtë kuadër, sa i përket shëndetit mendor dhe psiko-social të fëmijëve dhe familjeve të tyre, vetëm në vitin e kaluar, janë trajnuar mbi 200 profesionistë të këtyre shërbimeve.

Sipas kryeministrit janë themeluar e funksionalizuar mekanizma institucional për të drejtat e fëmijëve në nivel qendror dhe lokal, ku deri më tani janë themeluar ekipet për të Drejtat e Fëmijës në 22 komuna dhe janë realizuar aktivitete në 32 komuna nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këto Ekipe për të Drejtat e Fëmijëve, Elbert Krasniqi, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, i konsideroi hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit, akterëve të rëndësishëm të përfshirë në sigurimin e të drejtave të fëmijëve. Ai shprehu se do të vazhdojnë tutje duke punuar së bashku për të adresuar çështjet dhe problemet me të mëdha që fëmijët tani po përballen.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë takimit ka shpalosur dhe njoftuar të pranishmit me politikat e kësaj ministrie në edukimin e hershëm, duke theksuar se edukimi në fëmijërinë e hershme mbetet njëra nga prioritetet e Ministrisë dhe Qeverisë, me synimin parësor rritjen e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët në të gjitha komunat e Republikës sonë.

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është shprehur i lumtur që ishte në këtë tryezë dhe se si Ministri e Shëndetësisë synojnë zhvillimin e shërbimeve cilësore shëndetësore me qasje të lehtë për nëna dhe fëmijë si dhe qasje bashkëkohore që do të rezultojë në përmirësimin e statusit shëndetësor të këtyre grupeve të ndjeshme të popullatës si dhe ngritjen e kualitetit të tyre.

Në takim nuk mungoi as prezenca e fëmijëve.

Esra Kërveshi, kryetare e Grupit Avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuar, falënderoi kryeministrin Albin Kurti që ndau kohën t’i dëgjojë kërkesat e tyre.

Në fund, Kurti kërkoi që të gjitha rekomandimet nga ky takim i sotshëm t’i përkthejmë në veprime të përbashkëta, të institucioneve dhe organizatave partnere vendore e ndërkombëtare, në angazhim të përbashkët me fëmijët. Ndërsa fëmijëve, duke iu uruar përzemërsisht ditën e tyre, 1 Qershorin, i këshilloi që ta ruajnë gjithmonë ndjeshmërinë, kreativitetin dhe kureshtjen që karakterizon moshën e fëmijërisë.

E përveç anëtarëve të këtij komiteti, të pranishëm ishin edhe ministrat Arbërie Nagavci, Albulena Haxhiu, Arben Vitia e Elbert Krasniqi, shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, udhëheqësja e KOMF, Donjeta Kelmendi, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si dhe vet përfaqësuesit e fëmijëve.

E pas takimit së Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve,  Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë nisur takimin me nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës, me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Takimi po mbahet në njërin nga restaurantet në Parkun “Gërmia” në Prishtinë.

Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, njofton gazetarja Elmina Osmani.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Kosovë