Arrestohet një i dyshuar për ‘tregti të ndaluar’
V. Thaçi / RTKlive
Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale ‘tregti e ndaluar’.
Sipas njoftimit, zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare-Veriu, rreth orës 07:05 në fshatin Dobravë të Leposaviqit, pasi kanë identifikuar një veturë të dyshimtë, të njëjtën kanë arritur ta ndalin për kontroll.
“Patrulla policore e kufirit, gjatë kontrollit të veturës të cilën e drejtonte një shtetas i Republikës së Kosovës i nacionalitetit serb, kanë hasur një sasi të mallrave të cilat dyshohet se nuk kanë kaluar nëpër procedura doganore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në automjet kishte kryesisht mallra ushqimore (produkte me origjinë shtazore), të cilat dyshohet se drejtuesi i veturës, i kishte futur nga territori i Serbisë përmes rrugëve ilegale.
Policia në koordinim me prokurorin kanë iniciuar rastin ‘tregti e ndaluar’, ndërsa personi dhe vetura janë dërguar në Terminal Doganor për procedura tjera.
























