Licenca e Klan Kosovës,punonjësit nisin fushatën:Mos ma mbyll gojën|Video  
BKT
Kosovë

Licenca e Klan Kosovës,punonjësit nisin fushatën:Mos ma mbyll gojën|Video  

Edona Podvorica /RTK

Klan Kosova SHPK u njoftua dje pasdite për pezullim të licencës nga Ministria e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë. Vendimin e djeshëm, e ka komentuar të enjten ministrja Hajdari.

Vendimin e djeshëm për pezullimin e certifikatës për televizionin Klan Kosova e ka komentuar sot ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ajo ka thënë se këtë rast e kanë proceduar në organet e hetimit dhe se ka ndodhur për shkak të dokumentacioneve me adresë të rreme.

“Detyra e çdo zyrtari publik është të mbrojë Republikën e Kosovës, duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk ka kompromis. Më vjen keq që ka ndodhur në biznes që ushtron veprimtari të informimit publik, pra kjo e bën edhe më të rëndë. Por, siç e dini ARBK trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medies si të tillë trajtohen nga Komisioni Pavarur i Medieve dhe as MINT as qeveria, nuk hap media e as nuk mbyll media”, ka thënë Hajdari.

Në një reagim ish-drejtori i televizionit Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, këtë vendim e ka quajtur “përpjekje për frikësim”. Ai ka thënë se mbyllja e gojës së medias ndodh vetëm në vende si Rusia e Bjellorusia, Serbia e Koreja e Veriut, jo në Kosovën tonë.

“Mjerisht, Kosovës i është dhënë damka më e madhe, se ka pushtete që synojnë të mbyllin media. Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin”.

Përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës e ka cilësuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vendimin e djeshëm.

“Përveç aspekteve procedurale që le për të dëshiruar e shohim si një tendencë të shtetit për ta kontrolluar aspektin editorial jo vetëm të këtij TV-je por për te quar mesazh edhe për mediat e tjera në Kosovë dhe si AGK e konsiderojmë që një veprim i tillë është i paprecentë në historinë e Kosovës”, tha Naim Sadiku, nga AGK.

Lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova reagoi edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ata kanë thënë se ky vendim i referohet bazës ligjore të gabuar, dhe nuk ka arsyetim të duhur, është marrë nga dikasteri që nuk ka kompetencë për pezullim të certifikatave të biznesit.

Në njoftimin e ndarë dje për media Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

 


MË SHUME NGA Kosovë