Policia kërkon edhe një të dyshuar për vrasjen e vëllezërve në Gjakovë
E.Hoti RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se po kërkon edhe një person të dyshuar për rastin e vrasjes së dy vëllezërve më 25 qershor në fshatin Madanaj të Gjakovës .
Bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e personit të dyshuar, me qëllim lokalizimin e tij.
Zef Ademaj, 35-vjeçar, banues në fshatin Zllakuqan të Klinës është personi që po kërkohet lidhur me këtë rast.
“Lidhur me rastin “Vrasje e rëndë” (ndodhur me datën 25.06.2023) pranë Sektorit Rajonal të Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë-Gjakovë janë duke u zhvilluar hetime intensive ku gjatë veprimeve hetimore është identifikuar i dyshuari i lartcekur mbi dyshimin e përfshirjes në rast”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se edhe përkundër hetimeve ende nuk ka arritur të lokalizojë Ademajn.
“Prezenca e personit të dyshuar nuk është arritur të sigurohet, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative nga ana e Sektorit Rajonal për Hetime dhe njësiteve tjera policore”, thuhet në njoftim .
Policia ka kërkuar nga qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë apo stacionin më të afërt policor.
Policia e Kosovës kishte arrestuar një të dyshuar për vrasjen e dy personave, mbrëmjen e së dielës në Gjakovë.
Sipas njoftimit policor, i dyshuari kishte qëlluar me armë zjarri dy vëllezërit.























