Arrestohet për dhunë në familje, i gjenden 19 mijë euro pa dëshmi
BKT
Kronika

Arrestohet për dhunë në familje, i gjenden 19 mijë euro pa dëshmi

E.Hoti RTKlive

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar sot një person të dyshuar nga Drenasi  për dhunë në familje. I njëjti dyshohet edhe  për tregti të ndaluar.

Sipas Policisë, gjatë kohës kur të dyshuarit me iniciale B.V i ishte kërkuar që t’i vendoste mbi tavolinë gjërat personale që kishte me vete, ai  kishte nxjerr nga xhepat para në vlerë rreth 19 mijë euro.

Policia e Kosovës ka deklaruar se i dyshuari nuk posedonte asnjë dëshmi mbi prejardhjen e tyre, përveç deklarimit verbal se parat i kishte kursyer nga pagat e tij si arsimtar dhe nga puna që bën në bujqësi, si tregtimi me kultura të ndryshme bujqësore.

Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari i lartcekur me inicialet B.V , dyshohet se ka kryer veprën penale “Tregtia e ndaluar” përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së.

Ndërkohë hetues policorë nga njësiti rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, sot  pas disa veprimeve operative, taktike dhe hetimore kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për të dyshuarin me iniciale B.V. se kryen edhe veprën penale tregtia e ndaluar.

“Në konsultim dhe koordinim me Prokurorin kompetent nga PTH – Prishtinë, sot me datë 29.06.2023, i dyshuari i lartcekur është shoqëruar në zyrat e njësisë rajonale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë, me ç ‘rast është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar ”, thuhet në njoftim.

Ai është intervistuar në prezencën e Avokatit Mbrojtës dhe nga aty është konsultuar edhe Prokurori kompetent për veprën penale “Dhunë në familje”,  me aktvendimin e të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

Ndërsa për veprën penale “Tregtia e ndaluar”, në konsultim me prokurorin kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, parat që i dyshuari posedonte me vete i janë sekuestruar përkohësisht.

Tutje theksohet se hetimet tjera lidhur me rastin janë në proces.


MË SHUME NGA Kronika