Kërkohet i dyshuari për vjedhje të rëndë në vlerë prej 31.000 eurosh
BKT
Kronika

Kërkohet i dyshuari për vjedhje të rëndë në vlerë prej 31.000 eurosh

E.Hi /RTKlive

Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi, i cili dyshohet se ka kryer vjedhje në vlerë prej 31.000 euro në një shtëpi në Suharekë.

“Me datë 21.05.2023 rreth orës 20:05 është raportuar një vjedhje e rëndë në Shirok të Suharekës. Është raportuar se persona të panjohur duke tejkaluar pengesa kanë hyrë në shtëpi të viktimës dhe nga aty kanë vjedhur stoli ari me vlerë rreth 20.000 (njëzet mijë) euro si dhe para të gatshme 11.000 (njëmbëdhjetë mijë) euro”, njofton policia.

Lidhur me rastin policia ka siguruar video incizime dhe foto të personit që dyshohet që i ka vjedhë parat dhe janë bërë hetime të vazhdueshme për identifikimin e personit të dyshuar.

Përkundër përpjekjeve të bëra deri më tani, policia thotë se nuk është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet vendqëndrimi i të dyshuarit.

Andaj me qëllimin që të zbulohet sa më parë vendndodhja dhe identiteti i tij, policia ka bërë të ditur se nga Prokurori i Shtetit është lëshuar autorizim për publikimin e fotografive të marra nga kamerat e sigurisë.

“Kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse  kanë çfarëdo informatë, apo dinë diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Suharekë, apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet më tej në njoftim.


MË SHUME NGA Kronika