Mbi 23 mijë semimaturantë iu nënshtruan testit në lëndët shoqërore|Video
Valbona Tahiri / RTK
Nxënësit e klasave të nënta në pjesën e parë të testit të arritshmërisë sprovuan dijen e tyre në katër lëndë shoqërore. Semimaturantët pyetjet e testit i vlerësuan të lehta. E kryetarët e komisioneve të administrimit cilësuan se procesi i testit të arritshmërisë kishte mbarëvajtje pozitive edhe pse pati nxënës që u zunë duke kopjuar përmes telefonave dhe u përjashtuan nga testimi.
Mbi 23 mijë semimaturantë iu nënshtruan pjesës së parë të testit të arritshmërisë. Nxënësit sfiduan njohuritë e tyre mësimore të marra përgjatë shkollimit të obliguar 9 vjeçar në lëndët gjuhë amtare; gjuhë angleze, histori dhe gjeografi.
Semimaturantët e intervistuar vënë në dukje se për këtë test janë përgatitur edhe me orë shtesë mësimore në shkollë.
“Me u përgatit kam filluar herët. Ndarja e testit në dy pjesë duket që na konvenon për faktin se ndahen lëndët shoqërore me ato shkencore. Mendoj që kjo formë që po na testojnë për 9 vjet nuk është diçka e mirë, por do të realizoj më të mirën…”, thotë Noar Krasniqi – semimaturantë.
“Testi nuk ka qenë i vështirë. Pyetjet e historisë ishin më sfiduese. Kemi mbajtur orë shtesë me arsimtar edhe në shkollë që të përgatitemi…”, thotë Lena Grashtica – semimaturante.
Kryetarët e komisioneve të administrimit vënë në dukje se procesi i testimit i realizuar në 176 qendra, ka filluar në kohën e paraparë nga ora 10.
Habibe Buzuku – kryetare e komisionit në Qendrën 1, thotë se si sfidë ende vazhdojnë të mbesin telefonat. "Një pjesë i kanë lënë jashtë te prindërit, e një pjesë tjetër i kemi vendosur në një vend që mos të pengohet procesi", tha ajo.
Semimaturantët më 11 korrik do të hyjnë në pjesën e dytë të testit të arritshmërisë në lëndët: matematikë, informatikë, fizikë, kimi e biologji. Rezultatet pritet të publikohen më 17 korrik.























