Në Gjilan arrestohen dy të dyshuar për grabitje
F . S / RTKlive
Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për një rast grabitje i ndodhur në rrugën `Fehmi Agani’ në Gjilan.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media, thotë se në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se persona të maskuar, kanë hyrë në shtëpinë e viktimës, i moshës rreth 81 vjeç shtetas i Kosovës të cilin e kanë sulmuar duke i shkaktuar lëndime trupore.
“Viktima i lënduar ishte gjet nga fqinjët e tij dhe me urgjencë është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Me këtë rast atij i ishin grabitë dy telefona mobil dhe shtatëdhjetë euro. Hetuesit policor nga Stacioni Policor i Gjilanit pas një pune mirë të organizuar dhe informatave të pranuara përmes rrugëve operative kanë arrit sot që ti lokalizojnë dhe rrjedhimisht ti arrestojnë dy të dyshuar shtetas të Kosovës një burrë (2003) dhe një grua (2004), ndërsa personi i tretë i cili dyshohet të jetë i përfshirë në këtë rast i njohur për policinë është në kërkim”, thuhet në njoftim.
“Të dyshuarit pas arrestimit janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe të njëjtin e ka cilësuar si grabitje. Me vendim të prokurorit të shtetit ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Rrethanat e këtij rasti po hetohen nga Stacioni Policor në Gjilan”, thuhet mes tjerash në njoftim.























