Keqpërdori pozitën zyrtare, arrestohet i dyshuari
M.Sh/RTKlive
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë në Gjilan, ka arrestuar të hënën në mbrëmje një zyrtar në këtë rajon, nën dyshimin se ka keqpërdorë pozitën zyrtare, duke u dhënë leje qarkullimi për transportimin e drunjve dy qytetarëve.
“Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjilanit, ka zhvilluar veprime hetimore, duke arritur të sigurojë dëshmi të arsyeshme se i dyshuari A.Z. duke vepruar në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore dhe duke keqpërdorur detyrën zyrtare, u ka mundësuar personave/transportuesve I.M. dhe J.A., që në mënyrë të kundërligjshme të transportojnë dru të cilat dyshohet se kanë hyrë ilegalisht nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës”, njofton policia .
Dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare personi A.Z., kishte damkosur drunjtë si dhe kishte lëshuar fletë përcjelljet në mënyrë ilegale.
“Personat I.M dhe J.A. pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkaq i dyshuari A.Z. me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, njofton Policia e Kosovës, e cila sipas njoftimit “mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me ligjin”.























