Policia në Shtime realizon fushatë sensibilizuese
Sh.Ç /RTKlive
Policia e Kosovës në bashkëpunim me komunën e Shtimes ka realizuar një fushatë sensibilizuese për parkingjet e parregullta në qytet.
“Qëllimi i kësaj fushate ishte sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve, pjesëmarrës në komunikacion, për parandalimin e kundërvajtjeve në komunikacion, parkingjet e parregullta, bllokimin e trotuareve, bllokimin e shtigjeve të biçikletave, hapësirave tjera publike dhe kujdesin ndaj këmbësorëve. Policia me këtë rast shpërndau edhe disa fletëpalosje me disa porosi për shoferët”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, kjo ishte edhe një përpjekje e policisë që të ndërgjegjësojnë të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, me theks të veçantë që drejtuesit e automjeteve mos të parkojnë automjetet e tyre në mënyrë të parregullt dhe të shtojnë kujdesin ndaj këmbësorëve.
“Pas kësaj fushate, veç vërejtjeve policore, policia e stacionit në Shtime për të gjithë drejtuesit e automjeteve të cilët parkojnë automjetet e tyre në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit, do të vendos në xhamin e secilit automjet, njoftimin për paraqitje të obligueshme në stacionin e policisë dhe shoferit do t’i shqiptohet gjoba”, theksohet në njoftim.























