Ferizaj, brenda ditës policia shqipton 210 gjoba kundërvajtëse
M.Sh/RTKlive
Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë aksion në identifikimin e kundërvajtësve të ndryshëm në komunikacion, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Në kuadër të këtij aktiviteti, policia brenda një dite ka shqiptuar 210 gjoba kundërvajtëse, ndërsa ka hequr edhe 9 patentë shoferë, për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion.
Sipas Policisë, për tejkalim të shpejtësisë janë shqiptuar 75 gjoba, ndërkaq për përdorim të telefonit gjatë ngasjes, 26 gjoba
“Mospërdorimi i rripit të sigurisë, 25 gjoba; Parking i parregullt, 21 gjoba; Drejtimi i automjetit pa regjistrim , 10 gjoba; Xhamat e errët, vendosja e foljes ose materialit tjetër , 7 gjoba; Drejtimi i motoçikletës pa regjistrim , 4 gjoba; Tejkalim në vijë të plotë, 3 gjoba; Fëmijët nën moshën 12 vjeç , të ulur në ulsen e parë, 3 gjoba; Drejtimi i automjetit nën ndikim të alkoolit , 1 gjobë”, njofton policia e Ferizajt e cila gjithashtu raporton për disa aksidente në komunikacion.
Policia Rajonale e Ferizajt thuhet se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor , derisa apelon tek shoferët, që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor.
“Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë”...” thuhet në komunikatën për medie lëshuar nga Policia e rajonit të Ferizajt.























