Ikën nga drejtësia kosovare, ekstradohen tre të kërkuar me urdhër-arrest
M.Shefkiu/RTKlive
Me kërkesë të Policisë së Kosovës, janë ekstraduar në vendin tonë tre qytetarë të kërkuar për vepra të ndryshme penale, njëri është ekstraduar nga Gjermania, një tjetër nga Finlanda dhe i fundit për “Fajde” e “Detyrim” nga Hungaria.
Siç thuhet në njoftimin për media, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar, thuhet se ka realizuar me sukses tri ekstradime gjatë periudhës së fundit.
“Me kërkesën e pranuar nga Ministria e Drejtësisë, për lëshimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar, ndaj personit me iniciale (L.C.), i kërkuar për veprën penale “Mashtrim”, i kërkuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt dhe të Prishtinës. Pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok personi është arrestuar nga autoritetet gjermane, dhe në kontakt me këto autoritete është ekstraduar nga Gjermania për në Republikën e Kosovës me datën 30.06.2023”, njofton Policia.
Ndërsa i ekstraduari tjetër është B. L. i kërkuar për veprën penale “Fajde”, “Detyrim“ i kërkuar nga Gjykata Themelore-Pejë. “Pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok, personi është arrestuar nga autoritetet policore hungareze dhe i njëjti është ekstraduar nga Hungaria për në Kosovë me datën 12.07.2023”, njofton policia.
Ndërsa D. F. i dënuar me tri vjet burg, ishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë me urdhër-arrestit ndërkombëtar për veprën penale “Trafikim me narkotik’’. Ky qytetarë ishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, derisa pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok i njëjti është arrestuar nga autoritet policore finlandeze.
“Personi është ekstraduar nga Finlanda për në Republikën e Kosovës me datën 14.07.2023:, njofton Policia e Kosovës.
Kjo e fundit thotë se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), ka avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera, dhe angazhimet e tilla me sjelljen para drejtësisë së personave të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar do të vazhdojnë në frymën e besimit dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen.























