Aktakuzë ndaj dymbëdhjetë personave për vepra të ndryshme penale
E.Hoti RTKlive
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: Sh.K., V.Gj., B.K., E.K., Z.Xh., Z. (F)Xh., P.Xh., K.Q., G.K., L.K., Q.K., dhe R.K., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e ngelur në tentativë, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.K., më datë 7 maj 2023 rreth orës 01:23 në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, përballë njërës prej qendrave tregtare, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të cilën nuk e përfundon ndaj të dëmtuarve Q.K., dhe R.K., dhe me atë rast me dashje e vë në rrezik jetën e personave tjerë siç janë G.K., L.K., B.K., G.K., dhe P.Xh.
Sipas Prokurorisë pas një mosmarrëveshjeje rreth dyshimeve për vjedhje të një zinxhiri të arit, përfshihet në rrahje një numër i madh personash nga të dyja palët, ku pasi ndërpritet përleshja, i pandehuri Sh.K., paraqitet në vendin e ngjarjes dhe menjëherë hidhet në sulm, i cili nxjerr armën e zjarrit të cilën e drejton në drejtim të G.K., aty ndërhynë Q.K., duke ia kapur armën nga dora mirëpo persona tjerë e sulmojnë Q.K., dhe pasi ky i fundit rrëzohet në tokë i pandehuri shtie me armë në drejtim të tij, të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore.
Tutje në njoftim thuhet se pasi i dëmtuari Q.K., largohet me shpejtësi duke u hedhur rreth 2 metra poshtë në oborrin e qendrës tregtare që gjendej aty afër, i pandehuri shkon në pjesën tjetër të turmës ku po konfrontoheshin fizikisht me grushte e shqelma dhe shtie dy herë në drejtim të dëmtuarit R.K., të cilit i shkakton dëmtime të lehta trupore, përkatësisht dy plagë nga veprimi dinamik i predhës së hedhur nga arma e zjarrit.
Me këto veprime, i pandehuri Sh.K., ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” e ngelur në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I pandehuri B.K., me qëllim që t’ i shkaktojë lëndime trupore personave tjerë, i sulmon të dëmtuarit V.Xh., dhe Z.(F)Xh, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, të shkaktuara nga veprimi mekanik i mjetit të fortë. Me këto veprime, i njëjti kryen veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së.
I pandehuri V.Xh., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon të dëmtuarin/pandehurin L.K., paraqitet në vend të ngjarjes më një thikë me gjatësi tehu prej 9 centimetrave, e godet disa herë të pandehurin, m ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri V.Xh. ka kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Të pandehurit: E.K., L.K., Z.(F)Xh., K.Q., dhe G.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor, të cilët përdorin mjete të rrezikshme si: brisk, shufra metalike dhe boks hekuri. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së.
Të pandehurit: Z.Xh., P.Xh., Q.K., dhe R.K., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.























