Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 17 vjeçarit në Viti
BKT
Kronika

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 17 vjeçarit në Viti

E.Hoti RTKlive

Një 17 vjeçar në Viti ka humbur jetën mbrëmë pasi u ther me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, i cili tashmë është arrestuar nga policia.

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, sipas të cilit, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 21:45.

“Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, Stacioni Policor  në Viti me datën 20.07.2023 rreth orës 21:45 nga emergjenca e Vitisë ka pranuar informacion se një person i moshës rreth 17 vjeçare (mashkull, kosovar) ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi i njëjti dyshohej se ka pësuar lëndime të rënda trupore të shkaktuara nga një mjet i mprehtë. I njëjti pas tretmanit të marrë në emergjencën e Vitisë është transferuar në spitalin rajonal të Gjilanit, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e viktimës si pasojë e plagëve të marra”, ka thënë Hashani.

Tutje Hashani njoftoi se i dyshuari A.H.  i lindur në vitin  2006 është arrestuar tashmë nga policia dhe nga Prokurori i shtetit është lëshuar vendimi për ndalim prej 24 orësh.

“Njësiti i hetimeve rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit janë duke i hetuar rrethanat e rastit. Me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ,"Vrasje'' dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, ka thënë Hashani.


MË SHUME NGA Kronika