Vetura godet biçiklistin 62-vjeçar, arrestohet një grua në Ferizaj
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës e ka arrestuar një person në Ferizaj, pas një aksidenti komunikacioni, ku të përfshirë ishin një veturë dhe një biçikletë.
Policia ka njoftuar se sipas hetimeve të para dyshohet se drejtuesja e veturës me iniciale B.S., duke mos e përshtatur shpejtësinë e ka goditur biçiklistin rreth 62 vjeç, të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Fillimisht policët e rendit e më pas hetuesit e Njësisë së Hetimeve të Aksidenteve i kanë marrë veprimet e menjëhershme dhe kanë dalë në vendin e aksidentit. Nga hetimet e para dyshohet se drejtuesja e veturës me targa vendore B.S ( F/K) e moshës 39 vjeçare, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së veturës, e godet biçiklistin H.S ( M/K) i moshës rreth 62 vjeçar dhe për pasojë i shkakton lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.
I lënduari është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
E dyshuara është shoqëruar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore.























