Kontrabanda me mallra, Policia konfiskon telefona e sende të tjera në veri
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar në veri të vendit 19 telefona mobilë, 830 pako cigare të llojeve të ndryshme, çanta, veshmbathje, mjete shkollore si lapsa, fletore, ngjyra, gërshërë e të tjera, lodra për fëmijë, kozmetikë e gjësende tjera.
Sipas njoftimit të Policisë, njësia policore gjatë patrullimit në zonën kufitare, përkatësisht në liqenin e Ujmanit, ka vërejtur një barkë, të cilën e kanë përcjellë dhe e kanë identifikuar vendin e ndaljes.
Njësitë policore, me të arritur në lokacion, në mes të rrugës kanë hasur në një veturë të braktisur, me targa të Serbisë.
Policia ka thënë se vetura e braktisur, dyshohet se ishte ngarkuar me mallin që ndodhej në barkë.
Tutje u tha se mallrat e sekuestruara do të trajtohen sipas procedurave të parapara, teksa rasti do të trajtohet nga njësitet përkatëse policore të Drejtorisë Rajonale Policore Kufitare-Veri në koordinim me organet e drejtësisë dhe Doganën e Kosovës.























