Vritet një person në Malishevë, arrestohen 4 të dyshuar
SH.Ç/RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person pa shenja jete është dërguar në QKMF-në e Malishevës gjatë mesditës të së enjtes. Ai dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Policia ka bërë të ditur se personeli mjekësor e ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur për RTKlive, se rreth orës 13:30, policia ka pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë, i cili dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri.
"Sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore është dërguar në QKMF Malishevë pa shenja jete, e i cili dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri në fshatin Balincë. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka dalë në vendin e ngjarjes, në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Deri më tani janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rast, si dhe është konfiskuar një armë”, ka theksuar Elezaj.























