Për posedim e shitje droge, një muaj paraburgim
RTKlive
Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit P.P, shtetas i Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale, “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, thuhet se ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri P.P, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes pa autorizim ,ka poseduar substanca të cilat janë të ndaluara me ligj.
“Me datë 30 gusht 2023 gjatë operacionit policor, në një rrugë në Ferizaj, fillimisht janë ndalur tre persona, në mesin e të cilëve i pandehuri P.P., tek i cili është gjetur një sasi e narkotikëve të llojit marihuanë, e ndarë në katër qese në peshë prej 2.67 gram, kurse në lokalin ku punonte i pandehuri janë gjetur edhe tetë qese najloni me substanca të dyshuar narkotike të llojit njëjtë me peshë 25.1 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 34.8 gram, një mulli për bluarjen e marihuanës, një pako dhe disa letra për mbështjellje të marihuanës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës në Ferizaj.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit ka aprovuar kërkesën për masë të paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.























