Farmacistit recidivist i konfiskohen mallra pa banderolë
BKT
Kronika

Farmacistit recidivist i konfiskohen mallra pa banderolë

RTKlive

Drejtoria e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës ka zbuluar në Prishtinë një sasi të konsiderueshme të barnave pa banderolë, ndërsa ka arrestuar pronarin e farmacisë nën dyshimin për “prodhim dhe shpërndarja të produkteve të dëmshme mjekësore”. I njëjti pronar, sipas policisë, ishte arrestuar edhe një herë për të njëjtën vepër penale.

“Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë,  pas veprimeve hetimore kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova për mallra pa banderola që dyshohet se gjenden në një shtëpi afër me një barnatore, pronë e të dyshuarit Sh. I. Andaj me datë 31.08.2023, në konsultim dhe urdhër verbal nga prokurori kujdestar, është bërë inspektim/kontroll i barnatores dhe lokacionit të potencuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë kontrollit, thuhet se është hasur në një sasi barnash (lloje të ndryshme) pa banderola të Republikës së Kosovës, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar, andaj të njëjtat janë evidentuar në procesverbalet e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe janë konfiskuar në bazë të procedurave të tyre të punës.

“Mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se i dyshuari  Sh.I, (1985), mashkull kosovar, dyshohet se ka kryer veprën penale “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore” nga neni 260 i KPRK-së”, thuhet në njoftimin e policisë.

 I dyshuari, sipas të njëjtit njoftim, ka rezultuar se edhe një herë më parë kishte qenë i përfshirë në një rast të njëjtë, për vepër të njëjtë penale në mars të këtij viti. “Me e vendim të prokuror kujdestar personi i dyshuar është ndaluar për  48 orë”, njofton Policia e Kosovës.


MË SHUME NGA Kronika