SBAShK: Qeveria do të duhej t’i gëzonin Policinë me realizim të kërkesave
M.P. / RTKlive
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka uruar sindikatën e Policisë së Kosovës për përvjetorin e 24-të të themelimit të tyre. Përveç që kanë theksuar krenarinë që e ndjejnë me policët, SBAShK ka kritikuar Qeverinë se sot do të duhej të realizoheshin kërkesat e tyre.
“SBASHK kujton Kryeministrin Kurti dhe ministrin Sfeçla se sot bashkë me fjalët e mira është dashur t’i gëzojnë edhe me vendimin që po realizohen kërkesat e tyre legjitime, që janë bërë sa e sa herë publike nga sindikata e tyre e që kanë pasur gjithmonë mbështetetjen e SBASHK-ut”, thuhet në urim.
SBASHK tutje ka thënë se policët e Kosovës meritojnë respekt të lartë dhe se me angazhimin e tyre na bëjnë krenar.
“Kjo krenari është ende e më e madhe te ne punëtorët e arsimit, që nga çerdhet e deri në universitete, sepse dikur këto vasha e këta djem ishin nxënësit tonë dhe na bëhet zemra mal kur shohim gjithë këto arritje të tyre në përballje me sfidat e detyrat aspak të lehta”, thuhet në urimin e SBAShK-ut.























