Kuvendi shpenzoi 3.8 milionë euro në gjashtë muajt e parë të 2023-s
V.Th. RTKlive
Shpenzimet e Kuvendit të Kosovës në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 kapin shifrën e 3 milionë e 880 mijë e 950 euro ose 35.74 për qind të realizmit të buxhetit për këtë vit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Arben Loshi gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Këto shpenzime sipas Loshit janë bërë për pesë programet e Kuvendit; për deputetë të Kuvendit apo anëtarët e komisioneve, administratën e Kuvendit, për stafin mbështetës politik, për Komisionin për hetime shtetërore dhe për komisionerin parlamentar për forcën e sigurisë së Kosovës.
Ndërkaq, deputetët e opozitës dhe pozitës gjatë kësaj mbledhje u ankuan për mungesë kushteve për punë.
Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica adresoi kritika ndaj anëtarëve të administratës së Kuvendit, si dhe kërkoi përgjigje lidhur me pajisjet elektronike në Kuvend për votim, ku shtoi se tash e disa vite ato pajisje nuk janë funksionale.
“Statusi i pajisjeve të Kuvendit që nuk janë funksionale tash e një kohë po krijon probleme gjatë votimit, shpeshherë edhe zërimi nuk është në rregull. Çka nuk po funksionon me pajisjet e zërimit, nuk është në funksion të plotë sistemi apo vetëm pjesa e votimit? Dikush duhet ta marrë përgjegjësinë pse sistemi nuk funksionon pothuajse për tri vjet. Nuk mund t’i pranoj arsyetimet, nuk ka mundësi mos me pas një operator që e kryen një punë teknike”, tha Korenica.
Për këtë, Loshi tha se ka probleme teknike dhe se përgjegjësia nuk është tek Administrata e Kuvendit.
Kurse deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku tha se shpenzimet e kryetarit të Kuvendit duken të jenë të goxha të jashtëzakonshme, derisa kërkoi edhe shpjegime për to.
“Mbi 51 mijë euro janë shpenzuar për kryetarin dhe kabinetin e tij për shëtitje brenda dhe jashtë vendit për dreka dhe darka. Duket goxha një shpenzim i jashtëzakonshëm, a ka pasur planifikime. A ka pasur planifikime aq të mëdha për një periudhë kaq të shkurtër”, tha Lushtaku.
E për këtë Loshi tha se sa i përket këtyre shpenzimeve vendos Kryesia e Kuvendit.
Ankesa pati edhe nga deputeti i AAK-së Pal Lekaj.
Lekaj ngriti shqetësimin për zyrat e deputetëve, që sipas tij takimet e punës po bëhen në kafene për shkak të mungesës së zyrave.
Sa i përket kësaj çështje Loshi tha se për momentin nuk ka ndonjë zgjidhje.























