Kontrabandonin mallra nga Serbia në Kosovë, arrestohen pesë persona
BKT
Kronika

Kontrabandonin mallra nga Serbia në Kosovë, arrestohen pesë persona

M.Sh/RTKlive

Policia e Kosovës, në veriu e vendit, ka ndaluar pesë persona të cilët po kontrabandonin një sasi të konsiderueshme të mallrave nga Serbia në Kosovë. Mallrat janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë.

“Policia e Kosovës, në vazhdën e zhvillimit të aktiviteteve me intensitet të shtuar, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave kryes të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, si rezultat edhe i ndërveprimeve të përbashkëta të njësive policore me ato të njësive policore kufitare, kanë ndaluar disa automjete të ngarkuara me mall të dyshuar për kontrabandim në fshatin Kozarevë-KK Zveçan”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, me datën 11.10.2023, rreth orës 22:45, nga njësitë kompetente policore janë ndaluar pesë automjete të dyshuara, ku nga to katër me targa të Serbisë dhe njëri me targa të RKS-së.

“Gjatë kontrollit të mjeteve janë hasur sasi e konsiderueshme e mallrave (produkte ushqimore dhe higjienike) të dyshuara si të kontrabanduara nga Serbia në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit iniciohen rastet “kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare” dhe “kontrabandim me mallra”, ku të njëjtat procedohen në procedurë të rregullt, ndërsa sipas njoftimit të policisë, mjetet e përfshira në rast dhe mallrat e ngarkuara sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor –Mitrovicë për procedura të mëtejme.


MË SHUME NGA Kronika