Banorët e fshatit Gorancë të Hanit të Elezit ankohen për mosanimin e rrugës
Driton Ramadani/ RTK
Banorët e Gorancës në Hanin e Elezit po kërkojnë nga Komuna dhe Ministria e Infrastrukturës që t`ua rregullojnë rrugën e cila është e dëmtuar. Komunarët thonë se është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, e nga kjo e fundit s`kanë kthyer përgjigje.
Rruga në kilometrin e tretë Hani i Elezit-Gorancë, është mjaft e qarkullueshme pasi lidh dy kufijtë me Maqedoninë e Veriut. Përfaqësuesit e fshati Gorancë por edhe vozitësit thonë se kjo rrugë paraqet një rrezik të madh dhe apelojë që sa më parë të rregullohet kjo pjesë e rrugës e cila ka mbetur e papërfunduar rreth 300 metra.
“Nuk është kryer rruga krejt gurët tash po bien gjatë sezonit të dimrit dhe lagështia është rrezik për fëmijë dhe për banorët e fshatit tash edhe poshtë rruga ka nisur të shembet, siç shihet kjo vetëm që nuk ka rënë poshtë ka mundësi me pësu ndonjë banorë”, ka thënë Shefket Lusnjani, përfaqësuesi i fshatit Gorancë.
Vozitësi Bajram Bajramaliu, ka thënë se ngasja e makinave gjatë dimrit është tejet e vështirë dhe i dëmton edhe vet makinat.
“I bëj apel Qeverisë, komunës, të gjitha institucioneve që të kenë një kujdes më të madh, sidomos në këto rrugët të fshatrave pasi fshatrat çdo ditë po braktisen shkaku i këtyre pengesave dhe shumë pengesave të tjera”, ka thënë banori i fshatit Gorancë, Medar Berisha.
Në komunë thanë se kjo çështje i takon Ministrisë së Infrastrukturës për të cilën disa herë zyrtarisht janë informuar dhe bërë kërkesa për sqarim lidhur me këtë rrugë.
“Së paku i kam njoftuar se është shumë e rëndësishme rehabilitimi i asaj rruge por nuk e di pse procedurat janë kaq të neglizhuara dhe nuk kam marr një zgjidhje përfundimtare që të jetë e mire”, ka thënë kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Lidhur me këtë problematikë, nga Ministria e Infrastrukturës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të RTK-së.























