Dyshohen për vjedhje të rënda në Austri, arrestohen dy shtetas të Kosovës
E. Hoti / RTKlive
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në aksione të ndara janë arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda që kanë ndodhur në Austri.
Sipas Policisë rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti.
“Puna e hetuesve rajonalë, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative në koordinim me Prokurorinë, Gjykatën themelore dhe hetuesit nga Republika e Austrisë, kanë arrestuar dy personat e dyshuar L.B. mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe I. V mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Pjesë e aksioneve sipas Policisë ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit janë gjetur dhe sekuestruar stoli ari, 156 fishekë, 2 automjete etj.
Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikuar.























