Grabitja e armatosur në Suharekë, arrestohen dy persona
M.Sh/RTKlive
Dy persona janë arrestuar të shtunë lidhur me grabitjen e armatosur që ka ndodhur të mërkurën në një argjendari në Suharekë. Sipas njoftimit të Prokurorisë, të arrestuarit nuk kanë qenë pjesë e grupit të armatosur që ka shtënë me armë në drejtim të policisë, ku u plagos një polic dhe një tjetër e kanë lënduar, por i kanë ndihmuar grabitësit.
Ervehe Gashi, prokurore e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren e ka konfirmuar arrestimin e dy qytetarëve.
“Të njëjtit dyshohet se iu kanë ndihmuar kryerësve të veprës penale. Ata janë arrestuar sot pasdite”, ka thënë Gashi, pa dhënë detaje shtesë për rastin. Ajo ka thënë se grabitësit ende nuk janë kapur, por janë afër zbulimit të tyre.
Ndryshe, të mërkurën në Suharekë, ka ndodhur një grabitje e rëndë si në filma aksion, duke plaçkitur arin dhe duke shtënë me armë të gjata ndaj forcave të rendit.























