Udhëkryqi i aksidenteve në Ponoshec, banorët kërkojnë zgjidhje
Islam Haxhiu / RTK
Udhëkryqi i rrugëve regjionale në fshatin Ponoshec të Gjakovës është bërë problem i madh për qytetarët. Edhepse referenca e policisë drejtuar organeve kompetente është që aty të ndërtohet një rreth rrotullim, kjo ende nuk është marrë parasysh. Sipas banorëve, në këtë udhëkryq aksidentet janë të shumta.
Udhëkryqi në fshatin Ponoshec të Gjakovës lidh kryesisht komunat e Rrafshit të Dukagjinit me veriun shqiptar përkatësisht Malësinë e Gjakovës.
Banorët e këtij lokalitetit thonë se këtu janë duke ndodhur aksidente të shumta, në disa raste edhe me fatalitet, në mungesë të një rreth rrotullimi, i cili sipas tyre do të zgjidhte këtë problem.
“Pikërisht në këtë fshat dhe këtë vend kemi ndeshje kohë pas kohe. Kemi pas me fatalitet tre veta, për dëme mos pyet, të lënduar ka pasur shumë prandaj kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin masa”, tha Riza Alija, banor në Ponoshec.
“Ky është problem shumë i madh edhe për fëmijët që shkojnë në shkollë. Fatkeqësisht deri tash janë tri viktima, shumë të lënduar. Rasti i fundit ishte një natë para Vitit të Ri pati edh dy fëmijë të lënduar”, tha Hysni Ademaj, përfaqësues i komunitetit.
Ai tha se komunitet iu kanë drejtuar Kuvendit komunal. “Kemi biseduar edhe me deputetët e zonës që përfaqësojnë këtë regjion në Kuvend mirëpo deri më sot nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje”, ka shtuar ai.
Komandant i Njësisë Rajonale të trafikut rrugor në Gjakovë, Albin Sahatqija thotë se pavarësisht faktit që udhëkryqi është i rregulluar me sinjalistikë rrugore aksidente ka prapë.
“Edhe përkundër sinjalizimit ai udhëkryq është problematik, prandaj ne kemi biseduar edhe më herët me zyrtarët e ministrisë, iu kemi treguar për problemin për aksidentet që ndodhin në atë pjesë. Kemi bërë edhe kërkesë që në atë udhëkryq në të ardhmen e afërt të vendoset një rreth rrotullim me ndriçim, i cili sadopak edhe do të zvogëlojë shpejtësinë e drejtuesve të automjeteve që vijnë por edhe do të ndikojë në parandalimin e aksidenteve rrugore”, tha Sahatqija.
Ai tha se gjatë vitit 2023 statistikat e aksidenteve në këtë rrugë kanë shënuar rënie, por për banorët nëse problemi nuk do të zgjidhet shpejt, pasojat do të jenë shumë më të mëdha.























