Bastisjet në objektin e Stacionit të Policisë, deklarohen nga Prokuroria
N.M. /RTKlive
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dal me një njoftim lidhur me bastisjet që u kryen dje në objektin e Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Sipas prokurorisë, aty është hasur një OJQ duke punuar në mënyrë të kundërligjshme. Kjo prokurori bën të ditur se Policia e Kosovës i ka intervistuar disa persona në cilësinë e të dyshuarve për rastin e bastisjes në objektin pranë Stacionit policor në Prishtinë, e edhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.
Lidhur me rastin janë intervistuar dy të dyshuar dhe disa dëshmitarë.
‘Prokuroria Themelore në Prishtinë, ju njofton lidhur me bastisjen e realizuar më 31.01.2024, se pas pranimit të informatës nga Ministria e Punëve të Brendshme, se në objektin – aneks i Stacionit Policor Qendra në Prishtinë është duke operuar një OJQ në mënyrë të kundërligjshme, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë së bashku me prokurorin e rastit nga Departamenti i Krimeve të Rënda- Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në koordinim me Policinë e Kosovës- Drejtoria për Hetime Rajonale në Prishtinë dhe në bashkëpunim me Doganën e Kosovës e Inspektoratin Shëndetësor, është kryer bastisje në lokalin e lartcekur, me ç’ rast është konstatuar se në këtë objekt janë duke u ofruar shërbime mjekësore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe janë intervistuar dy persona në cilësinë e të dyshuarve dhe disa të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të i kësaj Prokurorie.
Bëhet e ditur se të dyshuarit më pas janë liruar si dhe që është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
“Pas intervistimit të dyshuarve, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, derisa është hapur rast penal në drejtim të veprës penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, sipas KPRK-së. Gjithashtu, ju njoftojmë se nga bastisja e realizuar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë sekuestruar prova materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, ndërsa me vendim të Inspektoratit Shëndetësor është mbyllur objekti në fjalë”, thuhet tutje në këtë njoftim.























