Prokuroria me kërkesë për paraburgim ndaj të pandehurit për vjedhje
M.P. / RTKlive
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit i cili dyshohet për veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe “falsifikim i dokumenteve”.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri J.K., me datë 25.12.2023,në parkingun e një qendre tregtare në Malishevë, me thyerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, tjetrit ia merr pasurinë dhe atë të dëmtuarit E.K.. Me një mjet thyen xhamin e pasmë të veturës së të dëmtuarit, dhe nga aty merr një çantë ku në të ishte një kulet si dhe dy letërnjoftime të lëshuara nga shteti gjerman, e një i lëshuar nga shteti i Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
J.K. tutje dyshohet për falsifikim të dokumenteve, përkatësisht përdorimit të kartës së identitetit dhe patent shoferit, të cilat përmbajnë të dhënat personale të një personi tjetër, A.M, ndërkaq fotografinë e vet të pandehurit.























