Telashe me mbeturinat, nga e hëna edhe 300 kontejnerë të rinj në kryeqytet
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar) Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se nga e hëna 300 kontejnerë të rinj do të vendosen nëpër kryeqytet, ndërsa kompania rajonale për mbeturina, “Pastrimi”, për kontejnerët e rinj i dha merita ish-drejtorit për Shërbime Publike, Ilirik Musliu – që u shkarkua nga Rama ditë më parë.
Rama tha se këta kontejnerë do të reduktojnë mbeturinat dhe do t’ua lehtësojnë punën e punëtorëve të pastrimit.
“Angazhimi serioz e përkushtimi profesional i punëtorëve plot vullnet e të palodhshëm të ndërmarrjeve tona publike dhe potenciali i madh që kanë ndërmarrjet tona të kryeqytetit, siç është Ndërmarrja Publike Banesore, sjellin efektin e vet praktik e të prekshëm. Ata, të prirë nga dedikimi e dashuria për qytetin kanë arritur të bëjnë një punë të vlefshme për të gjithë, kanë filluar vetë me prodhimin e kontejnerëve, të cilët do të reduktojnë mbeturinat në kryeqytet dhe lehtësojnë punën e kushtet e punëtorëve të pastrimit”, ka shkruar Rama në Facebook
Ky njoftim i tij vjen pas vendimit që mori për shkarkimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, pikërisht për arsyen e menaxhimit të mbeturinave, të cilën Rama e konsideroi “alarmante”. Shkarkimi i Musliut, i cili vinte nga radhët e PDK-së, çoi edhe në prishjen e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë.
Kurse Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Banesore, është finalizuar faza e parë të projektit për prodhimin e 300 kontejnerëve.
“Procesi i prodhimit të kontejnerëve u ideua dhe u fillua në nëntor 2023 në bashkëpunim me nënkryetaren Donjeta Sahatçiu dhe Drejtorin e Shërbimeve Publike Ilirik Musliu si nevojë që në Kryeqytet të rrisim numrin e kontejnerëve për shkak të mungesës së madhe dhe e cila ka ndikuar edhe në shërbimin cilësor”, theksohet në njoftim.
“Pastrimi”, thekson se përmes këtij projekti është arritur që me kosto të ulët të kursejmë edhe buxhetin e kompanisë dhe njëherit të ndihmojmë komunën në shtimim e numrit të tyre dhe e cila pritet të ndikoj dukshëm në ngritje të cilësisë.
“Menjëherë po e fillojmë shpërndarjen e tyre në lagje te ndryshme të kryeqytetit. Kemi nisur edhe marrëveshjen e re me Ndërmarrjen Publike Banesore për prodhimin edhe të 1000 kontejnerëve të rinj”, thuhet në njoftim.























