Humb jetën një person në aksident trafiku në Klinë
K.Kasumi/RTKlive
Policia e Kosovës ka njoftuar se në mesnatën e së martës, ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Shtaricë të Klinës, ku si pasojë një qytetar ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar.
Në njoftimin e policisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor.
“Në aksident ishin të përfshirë dy vetura civile me targa vendore. Deri te aksidenti kishte ardhur gjerë sa i dyshimti ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Klinës në drejtim të fshatit Ujmir dhe me të arritur në fshatin Shtaricë - Klinë, kalon në anën e majtë dhe me pjesën e parë ballore përplaset ne automjetin e viktimës qe ishte duke lëvizur në drejtim të kundërt”, thuhet në njoftim.
Në vend të ngjarjes mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit nga të lënduarit, kurse tre persona të lënduar janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti po vazhdon të hetohet.























