Paraburgim ndaj të dyshuarve për zjarrvënien në Kaçanik
B. H. | RTKlive
Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka aprovuar propozimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të miturve, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale zjarrvënie në objektin e Gjykatës Themelore – dega në Kaçanik.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se të miturit me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, me qëllim të dëmtimit me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik, ashtu që pas planifikimit paraprak, përmes shkallëve emergjente depërtojnë në katin e dytë ku me shishe hedhin benzinë në dy zyre të gjyqtarëve penalist dhe në korridor, pastaj nga shkallët emergjente ndezin zjarrin, ku për pasojë shpërthen zjarri dhe dy zyrat e gjyqtarëve dëmtohen tërësisht e po ashtu edhe korridori, kurse të dyshuarit tjerë bëjnë roje përreth gjykatës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Tutje theksohet se gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre të dyshuarve të mitur e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm –
Divizioni Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin
e masës së paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale zjarrvënia.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i
procedurës paraprake i Departamentit të Përgjithshëm, ka vlerësuar se ekziston
dyshimi i bazuar, se me datë 13 mars 2024, rreth orës 03:42, i pandehuri në
bashkëkryerje me tre të mitur, me dashje kanë ndezë zjarrin në objektin e Gjykatës
Themelore në Ferizaj – Dega në Kaçanik.























