Akademi përkujtimore në nderim të veteranit të UÇK-së, Ragip Jashari
BKT
Kosovë

Akademi përkujtimore në nderim të veteranit të UÇK-së, Ragip Jashari

E. Hoti / RTKlive

Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta, kanë organizuar sot akademi përkujtimore në nderim të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ragip Jashari.

Në këtë akademi kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Fadil Nura, Rifat Jashari, familjarët e të ndjerit, drejtorët e Komunës, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, të ftuar dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Nura ka thënë se Ragip Jashari ishte një njeri i kompletuar me veti të larta, dhe si një trim i përgjigjet nevojës së Kosovës për liri.

“Meqë ishte fqinji i parë i Adem Jasharit, do të jetë po ashtu i pari jashtë familjes së komandantit legjendar që i bashkohet luftës për çlirim të vendit.

Secili që ka pas fatin ta njoh Ragipin, e në mesin e të cilëve, isha edhe unë që e njoha, ka pas para vete një burrë fjalëpakë, një njeri të qetë dhe të respektuar, mbi të gjitha”, ka thënë mes tjerash kreu i Komunës, Nura.

Për kontributin e tij në luftë folën edhe bashkëluftëtarë të Ragip Jasharit, duke e vlerësuar atë si një nga luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurse në emër të familjes, të pranishmit i falënderoi nipi i Ragipit, Ahmet Jashari.

Ragip Jashari ka ndërruar jetë javën e kaluar.


MË SHUME NGA Kosovë