Krerët e shtetit ngushëllojnë familjen Ferati
N.M. /RTKlive
( E plotësuar) Krerët shtetëror i kanë shprehur ngushëllime familjes Ferati pas vdekjes së Triumfit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut.
Kurti ngushëllon familjen Ferati: Jemi bashkë në këto çaste të rënda
(E plotësuar) Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes Ferati, për vdekjen e Triumfit.
Kurti tha se lajmi për vdekjen e Triumf Feratit ishte tronditës dhe se në këto çaste të rënda dhembja është e përbashkët.
“Na tronditi e pikëlloi thellë lajmi për humbjen e Triumf Feratit. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Ferati, shokët e shoqet e Triumfit dhe mbarë Istogun. Shpresoj të mund të gjeni forcën në kujtimet e bukura me të. Jemi bashkë në këto çaste të rënda, në këtë dhembje që është e përbashkët. Shpirti i Triumfit pushoftë në paqe”, ka shkruar Kurti.
Konjufca i shpreh ngushëllime familjes Ferati
(E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i pikëlluar pas lajmit të vdekjes së djalit të të ndjerit, Fadil Feratit, Triumf Feratit.
Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjes Ferati dhe shoqërisë së të ndjerit, për këtë lajm të trishtë.
“Thellësisht i pikëlluar për ikjen shumë të hershme të Triumf Feratit, djalit të Fadil Feratit, ish-kryetarit të komunës së Istogut e po ashtu vëllai i kryetarit aktual të Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Ky është lajm i trishtë dhe i dhimbshëm për familjen, për shoqërinë, dhe për qytetin e Istogut dhe Kosovën”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Osmani: Vdekja e Triumf Feratit na ka tronditur të gjithëve
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, me rastin e vdekjes së parakohshme të Triumf Feratit, ka ngushëlluar familjen Ferati.
“Humbja e parakohshme e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit, na ka tronditur të gjithëve. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Triumfit, të afërmve dhe shoqërisë!
Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin. Shpirti i tij pushoftë në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për Triumfin!”, ka shkruar presidentja Osmani në telegramin e ngushëllimit.























