Ka vdekur gruaja 48-vjeçare që u plagos mbrëmë në Prishtinë
E. Hoti / RTKlive
(E përditësuar) Një grua 48-vjeçare që u plagos mbrëmë në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë ka vdekur sot rreth orës 11:00. Lajmin e ka konfirmuar për RTK, Shaqir Uka, shef i Klinikës Intesive në QKUK.
“Pacientja është sjell pas orëve të mesnatës në njësinë mjekimit Intensiv qendror. Pacientja është sjellë nga salla operative e Qendrës Emergjente ku është dashur të t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik për shkak të lëndimeve që ka pësuar me armë zjarri. Lëndimet kanë qenë jashtëzakonisht të rënda në regjionin e komplikut dhe këmbës së majtë të cilat kanë shkaktuar që pacientja të ketë një gjendje shumë të rëndë të shokut për shkak të gjakderdhjes së madhe”, deklaroi Uka.
Sipas tij, disa minuta më herët, për shkak të lëndimeve shumë të rënda ajo nuk ka mundur ta përballojë gjenjen kritike dhe ka ndërruar jetë.
Kujtojmë se mbrëmë një person ka mbetur i vdekur dhe katër të tjetër ijanë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
"Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur E. H, mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur", ka njoftuar PK .
Sipas Policisë gruaja që humbi jetën ishte Z.G, e cila ka qenë kalimtare rasti në momentin kur ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit.
Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë.























