Policia e Gjilanit shqipton 1 mijë e 357 gjoba për shtatë ditë
BKT
Kronika

Policia e Gjilanit shqipton 1 mijë e 357 gjoba për shtatë ditë

E. Hoti / RTKlive

Policia e Gjilanit gjatë një jave ka shqiptuar njëmijë e treqind e pesëdhjetë e shtatë gjoba për kundërvajtësit të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat e trafikut rrugor.

Kjo është realizuar në shtatë komuna në vazhdën e implementimit të planit operativ ‘’Siguria në trafikun rrugor’’.  

 “Drejtoria Rajonale e  Policisë në Gjilan, njësia rajonale e trafikut rrugor dhe stacionet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Gjilan gjatë periudhës kohore 22.03.2024 deri më 28.03.2024 në vazhdën e implementimit të planit operativ ‘’Siguria në trafikun rrugor’’ kanë realizuar aktivitete në zonën e përgjegjësisë që mbulon shtatë komuna”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar njëmijë e treqind e pesëdhjetë e shtatë (1357) gjoba .

Po ashtu në kuadër të këtij plani janë ndërmarr aktivitete edhe në hetimin e nëntëmbëdhjetë (19) aksidenteve të trafikut me dëme materiale, shtatë aksidenteve me të lënduar dhe është shqiptuar masa e ndalim drejtimit të mjeteve motorike për nëntëmbëdhjetë ngasës.

Gjithashtu njësiti rajonal i trafikut rrugor në kuadër të implementimit të planit operativ "Këmbësorët" ka shqiptuar trembëdhjetë gjoba për këmbësorët që janë takuar duke kaluar rrugën jashtë vendkalimeve të shënjuara për këmbësorë dhe gjoba për ngasësit e automjeteve që janë hasur duke mos respektuar përparësinë e kalimit për këmbësorët në vendkalimet për këmbësorë.

“Njësitet policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Gjilan kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë pika të shumta të kontrollit të automjeteve me qëllim të prezencës sa më të madhe në terren dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut rrugor, me theks të veçantë të aksidenteve me fatalitet”, thuhet në njoftim.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan  ka apeluar tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin ngasjen dhe shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe rregullat në trafik.


MË SHUME NGA Kronika