Aksionet antidrogë, policia konfiskon kokainë, kanabis e para
BKT
Kronika

Aksionet antidrogë, policia konfiskon kokainë, kanabis e para

E. Hoti / RTKlive

Policia e Kosovës në dy raste të ndara, në tre rajone të ndryshme, ka sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara për kokainë dhe marihuanë si dhe ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në veprat penale të narkotikëve.

Sipas njoftimit të policisë operacioni i parë është zhvilluar në rajonin e Prizrenit dhe Gjakovës. Si rezultat i hetimeve disamujore bazuar edhe në urdhëresën me shkrim për kontroll të lëshuar nga gjykata kompetente janë  realizuar kontrolle në pronat e tre të dyshuarve.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë me njësitë e saj vartëse në Prizren dhe Gjakovë, si dhe në asistencë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe Forenzikës Kriminalistike.

Policia ka njoftuar se si prova materiale gjatë këtij operacioni janë sekuestruar disa qese plastike me substancë narkotike të dyshuar të llojit kokainë me peshë të përgjithshme 487.96 gramë, dy peshore elektronike, tre foli plastike, një role alumini, dy shirita ngjitës, një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.95 gramë, tre telefona mobil, një armë zjarri pistoletë me 49 fishekë dhe një veturë me targa vendore.

Lidhur me rastin njëri nga të dyshuarit ndodhet në arrati teksa dy nga të dyshuarit tjerë janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim mbi ndalim nga prokurori i shtetit janë ndaluar për 48 orë.

Rasti i dytë ka ndodhur në Pejë ku njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Pejë pas një pune operativo hetimore në teren, me datë 28.03.2024 ka ndaluar të dyshuarin me veturë me targa vendore.

Policia ka thënë se ndaj tij është kryer një kontroll rutinore me ç‘rast në një pako cigaresh i janë gjetur 3 joint cigare të mbështjella me marihuanë në peshë prej 2.3 gramësh.

Në konsultim me prokurorin është kontrolluar edhe banesa e të dyshuarit të lartcekur në prani të avokatit të tij, ku gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 28.01 gramë, një grinder për bluarje të mariahunës, gjashtëmbëdhjetë fara të llojit kanabis sativa,  dy gota qelqi me një lëngë që dyshohet të jetë i llojit kanabis sativa me peshë rreth 50 mililitra secila prej tyre, nëntë vazo të vogla të dyshuara si të mbjella me fara të kanabis sativa dhe  të holla në vlerë prej 34.752 euro.

Policia gjithashtu ka thënë se lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kujdestar është lëshuar vendim mbi ndalimin në afat prej 48 orësh.


MË SHUME NGA Kronika