Aktakuzë kundër dy personave për trafikim me njerëz
BKT
Kronika

Aktakuzë kundër dy personave për trafikim me njerëz

K.Kasumi/RTKlive

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M. P. dhe L. H. për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi i njerëzve”, nga neni 165, dhe “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri M. P. gjatë periudhës kohore qershor - korrik të vitit 2021, në Prizren merr pjesë në trafikimin e njerëzve, duke rekrutuar, strehuar dhe pranuar viktimën e trafikimit.

“Me anë të përdorimit të forcës dhe shtrëngimit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave nga e njëjta me qëllim të shfrytëzimit seksual të saj, në atë mënyrë që paraprakisht siguron viktimën e mitur, për të cilën e di se është e mitur dhe e rekruton të njëjtën në lokalin e tij – klubin e natës ‘NN’ në Prizren”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.

Tutje bëhet e ditur se në mënyrë që e njëjta të punojë si e ashtuquajtur ‘valltare’ apo ‘shoqëruese e klientëve’, së cilës, gjithashtu, edhe i ofron strehim në dhomat e gjumit të lokalit në fjalë, por edhe banesë në Prizren, me ç’rast, me përdorim të forcës dhe shtrëngimit, e detyron që e njëjta t’u ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L. H. e cila, në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj është pajtuar t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë.

Sipas njoftimit, i pandehuri M. P. ka kryer veprën penale “Trafikimi i njerëzve”, ndërsa i pandehuri L. H. veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit” nga neni 228 sipas KPRK-së.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur, për veprat penale për të cilat akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Kronika