Kushtet e mangëta vështirësojnë zhvillimin e lëndës së artit |Video
Valbona Tahiri / RTK
Lënda e artit në disa shkolla krijon sfida e vështirësi për nxënësit pasi mungon objekti i një atelieje apo kabineti, në të cilin nxënësit ta zhvillojnë këtë fushë kurrikulare.
Madje edhe mungesa e materiali shpenzues, i cili është i kushtueshëm për blerje nga vetë nxënësit, bënë që disa prej njësive mësimore mos të realizohen sipas planprogramit.
Lëndën e artit disa prej nxënësve të Gjimnazit Shoqëror “Ahmet Gashi” në kryeqytet, e shohin si fushë e cila do të jetë pasioni i tyre gjatë gjithë jetës, e të tjerë qysh tani e kanë përzgjedhur si profesionin e tyre të së ardhmes.
Mësimdhënësit e lëndës së artit kërkojnë më shumë investime nga organet gjegjëse arsimore lokalee qendrore në fushën e artit..
“Kushtet janë të mangëta dhe siç po shihet nuk e kemi atelienë dhe kabinetin tonë, me ngjyra me mjete dhe secilin punim të punuar nga nxënësit të vendoset aty. Duhet patjetër të investohet më shumë në kabinetin e artit, të sjellën ngjyra për vizatime e njësi të ndryshme mësimore që i kemi në planprogram”,ka thënë Mihane Kqiku Haziri, profesoreshë e lëndës së artit.
Fusha e artit në planprogramit mësimor synon që të mësuarit përmes arteve të mundësojë një nivel të të menduarit më specifik, më kreativ dhe më të avancuar, të bazuar në gjykim dhe imagjinatë te nxënësit.























