Dardan Krivaça dënohet me 4 vjet burgim për vjedhje
E. Hoti / RTKlive
Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit D.K., për veprën penale “grabitje”.
Gjykata Themelore në Ferizaj, përkatësisht trupi gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin D.K., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjetësh.
Gjykata njoftoi se ai u dënua pasi më 14 dhjetor të 2012-s ishte futur në një kazino në Ferizaj dhe i kishte grabitur 1.500 euro nga arka.
“I pandehuri D.K., është shpallur fajtor sepse me datë 14 dhjetor 2012 rreth orës 04:50, në një kazino në Ferizaj me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme e që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me përdorimin e kanosjes serioze kundër personit tjetër, ku i pandehuri i parë ka bërë roje, kurse dy të pandehurit tjerë të maskuar, njëri me revole në dorë, kurse tjetri me një thikë, kanë hyrë brenda në kazino, kanë kërkuar nga personat të cilët ishin aty që të ulen në gjunjë, kurse nga i dëmtuari F.I., kanë kërkuar paratë dhe nga arka kanë marr 1.500 € dhe largohen në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, i pandehuri A.L., është liruar nga akuza pasi që nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale në bashkëkryerje grabitje.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt”, thuhet tutje në njoftim.























