Policia zbulon kamera solare në rrugë malore, arreston një kontrabandist
Aurora Vërbica/RTKlive
Policia e Kosovës nga rajoni i lindjes ka zbuluar dy kamera solare të vendosura nga kontrabandistët në rrugën që shpie nga Kosova në drejtim të Serbisë, përkatësisht nga Ranillugu në drejtim të Konçulit. E po ashtu policia në vendin malor ku ishin vendosur kamerat ka ndaluar edhe një kontrabandist recidivit, të cilin më pas edhe e ka arrestuar.
“Njësia e TASK FORC-ës-Lindje (e përbërë nga Policia dhe Dogana e Kosovës), pas pranimit të informatave nga Njësia e Inteligjencës e Policisë Kufitare Lindje, për dyshime të vendosjeve të paautorizuara të kamerave në brezin kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, më 06.05.2024, në rrugën malore nga fshati Ranillug (RKS), në drejtim të fshatit Konçul (Serbi), kanë gjetur dy kamera me solar, të cilat ishin vendosur për të vëzhguar rrugët. Dyshohet se kamerat janë vendosur nga persona të dyshuar që merren me kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendin e lartcekur, sipas të njëjtit njoftim, është ndaluar edhe automjeti me targa serbe me drejtues J. S. 30 vjeçar, me dy shtetësi, të Serbisë dhe Republikës së Kosovës.
“I njëjti dyshohet se aty ka shkuar për t’u kujdesur për kamerën që veç e kishin marrë më herët njësitet policore. I dyshuari, recidivist i veprës “Kontrabanda me mallra”, është shoqëruar në polici, ndërsa nga verifikimi i automjetit është vërtetuar se i njëjti nuk ka asnjë hyrje-dalje përmes Pikave të Kalimit Kufitar, andaj dyshohet se i njëjti, këtë automjet e kishte përdorur vetëm për kontrabandë të mallrave përmes rrugëve ilegale”, njofton më pas policia.
Lidhur me rastin, policia thotë se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, e ndërkaq me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa automjeti sekuestrohet dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë.























