Një person në gjendje të rëndë nga aksidenti në Prishtinë
Valjeta Shala/RTK
(E plotësuar) Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në semaforët afër Fakultetit Teknik. Policia ka konfirmuar se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura. Sipas policisë, nga ky aksident janë lënduar gjashtë persona.
Një person është në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa pesë të tjerët janë në gjendje stabile nga aksidenti i rëndë i cili ndodhi sot në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë, ka bërë të ditur drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.
Sipas tij, në Emergjencë ende janë duke i ekzaminuar të lënduarit e këtij aksidenti.
“Një person është në gjendje të rëndë, ndërsa pesë të tjerët janë në gjendje stabile. Ende janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme të pacientëve”, ka thesuar ai për mediat.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 09:00 ka ndodhur një aksident trafiku në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë, ku si pasojë gjashtë persona kanë pësuar lëndime.
“Sot rreth orës 09:00 kemi pranuar informatën se në udhëkryqin afër konvikteve në Prishtinë , ka ndodhur një aksident trafiku. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë për RTK, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.























