Laboratori i drogës në Leposaviq, kërkohet paraburgim për të dyshuarin
E. Hoti / RTKlive
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin M.I., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit M.I.,në fshatin Miokovicë, komuna Leposaviq i janë gjetur dhe sekuestruar pushkë me dy tyta të gjata, fishekë për pushkë gjuetie, një fishek për armë të gjatë, dy radiolidhje, adapterë për radio lidhje, një xhaketë e uniformës së Policisë së Kosovës në të cilën kishte doreza të zeza, maskë për mbulimin e fytyrës dhe syza të zeza.
Ndërsa në objektin përcjellës i është gjetur laboratori i improvizuar për kultivimin e narkotikëve, ku janë gjetur 407 bimë të dyshuara të Kanabisit, me gjatësi prej 5-13 cm, nëntë (9) gramë të dyshuar të substancës narkotike, si dhe mjete tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.
“I pandehuri, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në paraburgim nga data 07 maj 2024. Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet,pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.























