Dyshohet se ndryshoi kufijtë kadastralë të një toke, ndalohet zyrtari
E. Hoti / RTKlive
Një zyrtar i kadastrit të një komune është ndaluar për 48 orë pasi që i njëjti dyshohet për ndërhyrje në sistem për të ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele toke.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar informata lidhur me rastin se një person zyrtar nga Zyra Kadastrale e një Komune ka ndërhyrë në sistem duke ndryshuar kufijtë kadastral të një parcele tokësore pronë e ankuesit në favor të një pale të tretë duke ja mundësuar parcelës së tij qasjen në një rrugë publike në mënyrë të kundërligjshme.
“Ketë veprim i njëjti dyshohet se e ka kryer përkundër faktit që kjo parcelë tokësore kishte masë të përkohshme të vendosur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, dhe me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”përcaktuar sipas kodit penal të RKS-së”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, të gjitha veprimet hetimore në lidhje me ketë lëndë janë zbatuar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Më datë 28.05.2024, i dyshuari është ftuar për intervistim i cili në prezencë të avokatit të tij mbrojtës është mbrojtur në heshtje.
“Pas përfundimit të proceduarve të intervistimit ndaj të dyshuarit Prokuroria themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejmë”, ka njoftuar PK.























