Mbahet edicioni i 20-të i festivalit ‘BunarFest 2024’
BKT
Kosovë

Mbahet edicioni i 20-të i festivalit ‘BunarFest 2024’

Myrvete Axhami /RTK

Rreth 80 të rinj u lëshuan me goma në rrjedhën e Lumbardhit, në kuadër të edicionit të 20 të festivalit "BunarFest 2024". Para fillimit të garës, i gjithë shtegu i lundrimit ishte inspektuar nga ekspertët e fushës. Ky edicion ka filluar tri ditë më parë, ku të rinjtë janë angazhuar me punë vullnetare për pastrimin e shtratit të Lumbardhit.

Për më shumë se dyzet vjet, me goma ka lundruar në lumin e Prizrenit edhe Denis Koçbashli.

" Adrenalinë është e plotë, nuk mund të harrohet kurrë kjo adrenalinë", tha Denis Koçbashli, Prizren.

Për Renata Gjerajn nuk është hera e parë, por tashmë ajo ka një eksperiencë disavjeçare.

"E kam pasur një eksperiencë shumë të bukur, jam kënaqur. Lus të gjithë të rinjtë ta kenë këtë eksperiencë, që të lëshohen sa më shpesh. Pak vajza kemi, kemi qejf të kemi më shumë. Më shumë kemi turiste të huaja", tha  Renata Gjeraj.

Kuriozitetin për të lundruar në Lumbardhin e Prizrenit e pati edhe një vajzë e ardhur nga Brazili, e cila thotë se nuk e përshkruan dot adrenalinën dhe i prin kësaj gare si e para e "BunarFest 2024".

"Kjo ishte një eksperiencë e mrekullueshme, është hera ime e parë në Prizren. Miqtë e mi më treguan për këtë festival, të cilët më ftuan të jem pjesëmarrëse. Vendosa të marr pjesë dhe nuk mund ta përshkruaj kënaqësinë që ndieva”, Mafuxinha Monteier.

Mbi 100 persona aplikuan nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës për të qenë pjesë e Edicionit të 20 të BunarFestit, i cili u mbështet nga komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës dhe donatorë të tjerë.

"Ky është një festival i veçantë, po duam ta vendosim në hartën botërore, për ët pasur sa më shumë turizëm në Prizren. Lumi për neve është pjesë shumë e rëndësishme, dhe duam të shfrytëzojmë festivalin për të ngrit vetëdije tek institucionet e popullata që të jenë më të kujdesshëm, për mbetjet kur dalin në pikniqe dhe vizitojnë parqet", Dren Marseli,  organizator.

Para fillimit të garës i gjithë shtegu i lundrimit është inspektuar nga ekspertë të fushës, thotë Marseli.

“BunarFest 2024” ka filluar tre ditë më parë, ku të rinjtë janë angazhuar me punë vullnetare për pastrimin e shtratit të Lumbardhit.


MË SHUME NGA Kosovë