Banorët e Dumnicës së Vushtrrisë kanë mungesë të ujit të pijshëm
Valjeta Shala | RTK
Për më shumë së dy dekada mungesa e ujit të pijshëm vazhdon të mbetet brengë e banorëve të fshatit Dumnicë të Vushtrrisë. Banorët thonë se mungesa e ujësjellësit ua ka vështirësuar jetën.
“Është vështirë, ujin e sigurojmë nga të afërmit këtu. Edhe ky ujë vetëm sa për të pastruar e jo për ta pirë. Edhe makinat po na dëmtohen për shkak të gëlqeres. Presim që të na bëhet një zgjidhje”, tha Xhevahire Ibrahimi, banore.
Edhe Enver Latifi, banor tjetër i këtij fshati thotë se ka disa vjet që kanë mbetur pa ujë. “Po detyrohemi në Vushtrri me ble ujë. Uji është i pa pijshëm, ka gëlqere. Dy puseta i kam hapur, kam investuar por nuk kam ujë”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se për shkak të dështimit të tenderit disa herë, banorët kanë mbetur pa ujë.
“Po kanë problem shumë të madh, sidomos fshatrat në pjesën lindore. Dy herë e kemi shpallur tenderin, dy herë ka dështuar, edhe pse është projekti që ju kam përkushtuar me seriozitetin më të madh”, tha Idrizi. Ai tha se këtë vit Dumnica do të furnizohet me ujë të pijshëm.























